Sondazhi: Partia e Merkelit e shton epërsinë ndaj Social Demokratëve

Partia Konservatore e kancelares gjermane, Angela Merkel, e ka shtuar epërsinë në 12 pikë ndaj Social Demokratëve të qendrës së majtë, SPD, sipas një sondazhi të publikuar sot, gati katër muaj para zgjedhjeve federale në vend.

Sipas anketuesit “Forsa” për revistën javore “Stern” dhe transmetuesin RTL, Kristian Demokratët e Merkelit, CDU, dhe partneri i saj në Bavari, Unioni Kristian Social, CSU, kanë një përkrahje prej 38 për qind, nga 36 për qind sa kishin një javë më parë. Përkrahja për SPD ka rënë për tri pikë, në 26 për qind, transmeton Express.

Sondazhi i “Forsa” u krye para zgjedhjeve të rëndësishme shtetërore të fituara nga CDU këtë të diele.

Sondazhi më i fundit i “Forsa” i shton pritjet se konservatorët do t’i fitojnë zgjedhjet federale të 24 shtatorit.

Ndërkohë, partia nacionaliste, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila nuk ka aleatë politikë, ka një përkrahje vetëm prej 7 për qind.

Sondazhi u krye më 8 deri 12 maj, dhe në të morën pjesë 2.506 anketues.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *