Blerim Latifi: Vetëvendosja po e vazhdon traditën ballkanike të festimit të humbjeve

Blerim Latifi, këshilltari i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, në një intervistë për Gazetën Express, ka komentuar zgjedhjet e 11 qershorit dhe rezultatet befasuese që prodhuan ato.

Latifi ka thënë se PAN-i është fitues i zgjedhjeve dhe se pikërisht ky koalicion do ta krijojë Qeverinë e re, por për të ndodhur kjo “politikanët duhet të heqin dorë nga egocentrizmi siç ka bërë Kadri Veseli”. Duke komentuar rezultatet, Latifi ka thënë se PDK-ja ka paguar koston e të qenit për një kohë të gjatë në pushtet e më së shumti koston e Qeverisë “Mustafa”, “i cili nuk ia doli të lëvizë asnjë proces përpara, duke ia lënë opozitës për dy vjet rresht të lirë fushën e lojës”.

Latifi ka folur edhe për rezultatin e VV-së dhe entuziazmin e tyre pas dyfishimit të votave. Ai me shpoti thotë se Vetëvendosja po e feston humbjen.

“Është e drejtë e tyre të përjetojnë ndjenja të fitores. Ndjenjat janë të lira. Jetojmë në Ballkan dhe këtu prej shekujsh është krijuar tradita e përjetimit të humbjeve si fitore, por realiteti është ndryshe. Duhet t’i thyejmë ligjet e logjikës dhe matematikës që të mundë të themi se 35 për qind është më pak se 27 për qind”.

 

Gazeta Express: Si do t’i kualifikonit zgjedhjet e 11 qershorit?

Blerim Latifi: Në rend të parë duhet të theksojmë faktin se patëm një proces elektoral në përputhje të plotë me normat demokratike. Në një kohë të krizës globale të demokracisë, të krizave kronike politike në Ballkan dhe në një situatë të ngarkuar nga perceptimet negative mbi sistemin tonë politik, ne treguam një shembull të shkëlqyer të funksionimit të demokracisë. Qytetarët manifestuan një kulturë të lartë demokratike dhe partitë politike nuk preferuan metodat speciale për të marrë vota. Ne duhet të ndihemi krenarë me këtë vlerë të arritur dhe do të ishte mirë që edhe euroburokratët e Brukselit ta kuptojnë se është koha që t’i hedhin stereotipat dhe paragjykimet e tyre negative për Kosovën. Kosova, në asnjë pikëpamje, nuk është prapa të tjerëve në respektimin e standardeve demokratike, përkundrazi është në shumë drejtime përpara tyre. Një sistem institucional që brenda një kohe të shkurtër arrin të organizojë zgjedhje të parakohshme të lira, të rregullta, me parregullsi minore, kjo tregon se nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me një sistem të maturuar demokratik. E ritheksoj se kemi të drejtë të gjithë të ndihemi pjesë e këtij rrëfimi të bukur, në këto kohëra të zymta nëpër të cilat po kalojmë.

 

Gazeta Express: Partia Demokratike e Kosovës duket se mori një rezultat zhgënjyes. Keni pritur rezultat më të mirë, duke marrë parasysh edhe koalicionin parazgjedhor që bëtë me AAK-në dhe Nismën?

Blerim Latifi: Secila parti politike i ka pritjet e saj të natyrshme në një proces elektoral. Natyrisht që ne kemi pritur një rezultat më të lartë, por edhe si i tillë ne jemi koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve. Kjo nuk është dëshirë, por fakt. Janë numrat që thonë këtë, jo opinionet e lira. Sigurisht që rezultati tregon se ne kemi paguar koston e të qenit për një kohë të gjatë në pushtet, por sidomos koston e Qeverisë së fundit të drejtuar nga kryeministri Mustafa, i cili nuk ia doli të lëvizë asnjë proces përpara, duke ia lënë opozitës për dy vjet rresht të lirë fushën e lojës. Dy vjet rresht publiku ka dëgjuar vetëm rrëfimin e opozitës, derisa Qeveria “Mustafa” ka zgjedhur heshtjen dhe konsumimin e privilegjeve zyrtare, duke ëndërruar ditën që dikush nga përtej Atlantikut do të vijë për t’ua ngrehur veshin opozitarëve të zhurmshëm. Nga kjo nuk përjashtoj as ministrat dhe shumë deputetë të PDK-së. Me dhjetëra herë kryetari Veseli ka tërhequr vërejtjen se gjërat duhen bërë ndryshe, por veshët dhe sytë vazhdonin të mbylleshin dhe në fund nuk mbeti rrugë tjetër veç zgjedhjeve. Tash duhet të përmbyllen procedurat e administrimit të rezultatit dhe koalicioni fitues ka të drejtën kushtetuese të procedojë me formimin e institucioneve të reja. Partia Demokratike e Kosovës me aleatët e saj do të formojnë shumicën parlamentare dhe më pas edhe Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.

 

Gazeta Express: Si mund të bëhet kjo në situatën kur nuk i keni numrat e mjaftueshëm?

Blerim Latifi: Duhet të nisemi nga disa premisa. Cilat janë ato? Në rend të parë është interesi i vendit që të shmanget një krizë eventuale politike. Janë aq shumë probleme dhe çështje të grumbulluara saqë çdo ditë që humbet është në dëmin e drejtpërdrejtë të qytetarëve. Së dyti duhet respektuar baza kushtetuese dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat flasin qartë se kush ka të drejtë të procedojë me formimin e Qeverisë dhe kjo e drejtë i përket Partisë Demokratike të Kosovës dhe aleatëve të saj. Së treti politikanët duhet të heqin dorë nga egocentrizmi i tyre dhe të mendojnë për emergjencën në të cilën ndodhet vendi. Shembulli më i mirë në këtë drejtim është kryetari Veseli, i cili hoqi dorë nga qëllimi për t’u bërë kryeministër i vendit vetëm e vetëm që të krijohet një formulë qeverisëse që i garanton vendit stabilitet institucional dhe qeverisje efektive.

 

Gazeta Express: Por këtu është Lëvizja Vetëvendosje, e cila arriti një rezultat të papritur në këto zgjedhje. Ajo thotë se është fituese e zgjedhjeve dhe ajo do të bëjë Qeverinë?

Blerim Latifi: Është e drejtë e tyre të përjetojnë ndjenja të fitores. Ndjenjat janë të lira. Jetojmë në Ballkan dhe këtu prej shekujsh është krijuar tradita e përjetimit të humbjeve si fitore, por realiteti është ndryshe. Duhet t’i thyejmë ligjet e logjikës dhe matematikës që të mund të themi se 35 për qind është më pak se 27 për qind. Por ne nuk mund të bëjmë këtë dhe kushdo që tenton tregon se ka nevojë për një klinikë psikiatrike. Pra kjo është premisa e pashmangshme prej nga duhet të niset procesi: ai që ka marrë shumicën e votave në procesin elektoral duhet të formojë Qeverinë. Në situatën aktuale janë të nevojshme bisedimet serioze dhe parimore politike që të krijohet një formulë që garanton stabilitet afatgjatë qeverisës. Është në të mirë të vendit dhe besoj fuqishëm se në ditët në vazhdim do të ndodhë një gjë e tillë.

 

Gazeta Express: Si e komentoni rezultatin e Vetëvendosjes në këto zgjedhje?

Blerim Latifi: Nuk është ndonjë sekret kushedi se çfarë! Dy vjet heshtje dhe pasivitet i Qeverisë. Dy vjet vetëm rrëfim opozitar në publik dhe media dhe një fushatë esencialisht populiste. Një parti e cila kurrë nuk ka drejtuar Qeverinë ka komoditeti për të konsumuar retorikën populiste dhe në një situatë me shumë probleme ekonomike e sociale populizmi kryen punë. Por të jemi të qartë: populizmi nuk është program qeverisës. Populizmi është teknikë e demagogëve që duan të vijnë në pushtet, teknikë që funksionon përmes manipulimit të ndjenjave të njerëzve të vuajtur e të zhgënjyer. Si i tillë ai është vetëm edhe një mashtrim tjetër në shumën e mashtrimeve politike. Populizmi është rruga më e lehtë për të fituar elektorat, por edhe rruga më e shpejtë për ta zhgënjyer elektoratin. Kjo sepse populizmi është retorikë e gjetjes së fajtorëve, e jo e zgjidhjes së problemeve reale të qytetarëve. Vetëvendosja ka ndjekur pikërisht këtë kurs elektoral. Programi i tyre qeverisës është mjerim filozofik, ideologjik, politik dhe ekonomik. Fatkeqësisht në shumë raste janë shërbyer edhe me premtime që i dëgjojmë edhe në Beograd. Shikoni ka 25 vjet që Beogradi u premton serbëve se do ta burgosë Kadri Veselin. Të njëjtin premtim e dëgjojmë nga eksponentë të lartë të Vetëvendosjes, por një gjë është e qartë se kurrë më premtimet e Beogradit nuk kanë për t’u përmbushur në Kosovë. Një gjë është e sigurt: një ditë shumëkush që ka hedhur baltë mbi personalitetin e Kadri Veselit ka për t’u ndjerë i turpëruar me veten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *