Bie ndjeshëm çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare

Çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm nën perspektivën e ngadalësimit të rritjes së Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që po cënojnë optimizmin për ekonominë globale.

Bursat kanë shënuar rënie në rajonin e Azisë dhe Paqësorit për të tretën ditë radhazi, kjo për shkak të një rënieje prej 5 për qind të çmimit të naftës, si pasojë e frikës për tepricë furnizimesh.

Analistët kanë parashikuar edhe më shumë humbje, në kuadër të sinjaleve se kërkesa nuk do të jetë në gjendje të mbulojë ofertën në treg. Edhe çmimi i hekurit dhe bakrit ka shënuar rënie, ndaj analistët kanë paralajmëruar për një rënie të përgjithshme.

Çmimet e naftës kanë rënë në nivelin më të ulët të tyre në 5 muajt e fundit, ndërkohë që një vëllim rekord i “brent”-it krudo është hedhur në treg, ndërsa OPEC-u dhe prodhuesit e tjerë përjashtojnë mundësinë e reduktimit të nxjerrjes së naftës, për të reduktuar sasinë e ofruar në treg.

Karteli pranoi të reduktonte prodhimin në dhjetor, por konsolidimi i çmimit, si pasojë e reduktimit të furnizimit, tashmë është sfumuar. Edhe prodhimi i naftës krudo amerikane është rritur me më shumë se 10 për qind, që nga mesi i vitit 2016, me 9.3 milionë fuçi në ditë, nivele këto që nuk qëndrojnë aspak prapa atyre të prodhuesve të mëdhenj, Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *